Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një 22-vjeçar të shpallur në kërkim, i cili kishte tentuar të ndihmonte emigrantë nga vendet e treta që të kalonin ilegalisht kufirin, duke i transportuar me automjet, kundrejt pagesës.

Në pranga është vënë shtetasi Daniel Nela, banues në Sarandë, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Road Guard 25”.

“Gjatë operacionit të zhvilluar në muajin qershor të vitit 2022, në aksin rrugor Skërficë-Ura e Kardhiqit, në afërsi të fshatit Çepunë, ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, me të cilin po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm, sapo ka vënë re se po ndiqej nga shërbimet e Policisë, ka braktisur automjetin dhe është larguar.” thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.