Finalizohet operacioni policor i koduar “Road Guard 59”.
U kap në flagrancë duke transportuar me automjet, në drejtim të Shkodrës, 5 emigrantë që do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga 39-vjeçari Emrah Pakcetin, (shtetas turk). Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Njoftimi i policise:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Road Guard 59”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi turk: E. P., 39 vjeç, banues në Turqi.
Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Memaliaj, duke transportuar kundrejt pagesës, me automjetin tip “Peugeot”, në drejtim të Shkodrës, 5 emigrantë nga Bangladeshi, të cilët do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti “Peugeot”, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.