Arrestohet një 31-vjeçar në Lushnjë, pasi dyshohet se ka grabitur një shumë parash në një pikë karburanti. Sipas burimeve policore, autori ka qenë i maskuar dhe me armë.

Në pranga ka rënë shtetasi Fabjan Bujaraj, 31 vjeç, banues në Lushnjë. Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar armën e gjahut që ka përdorur autori për të kryer vjedhjen, automjetin që kishte marrë me qira, veshjet që ka mbajtur gjatë vjedhjes, një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë dhe një peshore elektronike.

Policia njofton se ‘shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, në një karburant, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “How it ends”, me qëllim zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta proceduralo-hetimore, me mbështetjen e inteligjencës policore, është zbardhur ky rast vjedhjeje dhe është identifikuar autori i dyshuar, shtetasi F. B., 31 vjeç, banues në Lushnjë.

Në kuadër të operacionit pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Elbasanit, u bë e mundur kapja në Elbasan e 31-vjeçarit.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi F. B., në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka hyrë i maskuar në një karburant dhe duke kanosur me armë gjahu, ka marrë një shumë parash (një pjesë të xhiros ditore).

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e gjahut që ka përdorur autori për të kryer vjedhjen, automjeti që kishte marrë me qira, veshjet që ka mbajtur gjatë vjedhjes, një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë dhe një peshore elektronike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.