Vijon puna për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Koordinimi i punës dhe shkëmbimi i informacioneve ndërmjet policive të Gjirokastrës, Durrësit dhe Vlorës, çoi në pranga shtetasin e shpallur në kërkim në kuadër të 2 operacioneve antidrogë.
29-vjeçari i ndaluar, me 2 masa sigurie, i akuzuar nga Gjykata e Gjirokastrës për transportimin e 27.6 kg cannabis sativa, dhe i akuzuar nga Gjykata e Vlorës për kultivim dhe prodhim të cannabis sativës, në ambient të mbyllur, me anë të llambave.
29-vjeçari u kap teksa punonte në një lavazh në afërsi të urës së Dajlanit, Durrës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve policore me drejtoritë vendore të Policisë, Durrës dhe Vlorë, për vendndodhjen e një shtetasi me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve, kanë lokalizuar në një subjekt (lavazh), në afërsi të urës së Dajlanit, Durrës, shtetasin e shpallur në kërkim Klajdi Miziri, 29 vjeç.
-Gjykata e Gjirokastrës i ka caktuar 29-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi K. M. akuzohet se ka bashkëpunuar me një shtetas tjetër, për të transportuar 27.6 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Ky rast u konstatua dhe u godit nga Policia e Gjirokastrës, në vendin e quajtur “Kthesa e Sofratikës”, më datë 24.01.2022, në kuadër të operacionit policor të koduar “Transporter”.
-Gjykata e Vlorës i ka caktuar shtetasit K. M., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”. Në magazinën e marrë me qira nga shtetasi K. M., në fshatin Volloder, u gjetën të kultivuara me anë të llambave që furnizoheshin me energji elektrike të vjedhur, 100 bimë narkotike cannabis sativa.
Gjithashtu në ambientet e kësaj magazine u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Ky rast u konstatua dhe u godit nga Policia e Vlorës, më datë 26.01.2022, në kuadër të operacionit policor të koduar “Volloder”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.