Boksieri shqiptar, Besar Nimani, 38 vjeç, është vrarë të shtunën në mbrëmje në Bielefeld të Gjermanisë. Sipas mediave gjermane, policia ka nisur hetimet teksa autorët e vrasjes janë në arrati.

Sipas dëshmitarëve, një grup prej pesë deri në gjashtë burra ishin ulur së bashku në një kafene. Më pas thuhet se të gjithë janë larguar së bashku nga aty. Pastaj papritmas pati të shtëna jashtë.

Ata kanë deklaruar se janë dëgjuar deri në tetë të shtëna. Sipas informacioneve të BILD, viktima ishte qëlluar një herë edhe në vitin 2013.

Nimani, me origjinë nga Mitrovica e Kosovës, ishte shpërngulur në Bielefeld në vitin 1997. Ai ka zhvilluar 27 ndeshje profesionale boksi ku ka humbur vetëm një prej tyre. Gjatë karrierës së tij, ai ka fituar edhe një titull europian në peshën e mesme.