Personi që shihni në foton e mësipërme është 40-vjeçari Aleks Marku, i cili u arrestua nga Policia e Durrësit, pasi akuzohet se mbante peng fëmijët në banesë dhe i kanoste me armë zjarri.

Sipas policisë rasti është denoncuar mbrëmjen e kaluar, ku fqinjë të familjes Marku kanë raportuar se dëgjonin të shtëna me armë nga apartamenti i marrë me qera nga 40-vjeçari te “Shkëmbi i Kavajës”.

Në momentin që policia ka shkuar në banesë për kontrolle, Marku ka refuzuar të dorëzohet, ndërsa ka qëlluar me armë disa herë nga dritarja e apartamentit.

Pas disa orësh negociata uniformat blu arritën të hynin në banesë ku kanë arrestuar Markun dhe kanë nxjerrë nga aty nxjerrë dy fëmijët të cilët raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.

Nga informacionet e siguruara, Marku dyshohet të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike dhe në gjendje të rënduar psikologjike. Në dëshminë e tij paraprak, ai ka deklaruar se po qëllonte nga dritarja pasi priste se do ta sulmonin disa persona, por pa treguar se kush.

Sipas burimeve bashkeshortja e Markut kthehej ditën e djeshme nga jashtë vendit ndërsa ai ishte zhvendosur ne zonën e Shkëmbit të Kavajës me 2 fëmijët e mitur vetëm pak ditë më parë.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.

Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë. Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit Aleks Marku, të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë. 40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale. Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim.