Policia njofton se pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që thyente masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kryente vjedhje, në zona të ndryshme të qytetit të Sarandës, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit Andon Qurku, 39 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas dyshohet se gjatë muajt dhjetor ka vjedhur: disa bizhuteri me vlerë në banesën e shtetases O. H., sende me vlerë në banesën e shtetasit A. Z., një shumë lekësh në dyqanin e shtetasit F. Zh. dhe orendi shtëpiake në banesën e shtetasit N. Ç.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.