Ështê zbardhur vrasja në Athinë, ku një 41-vjeçar shqiptar, Orjon Llupo, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka vrarë me thikë pas një sherri 38-vjeçarin grek, Nikolao Mazaraqi.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave bëhet me dije se pas ngjarjes, 41-vjeçari është arratisur në Shqipëri.

Çdo gjë nisi mbas një sherri banal me viktimës Mazaraqis, 38 vjeç, dhe autorit Llupo, 41 vjeç, për një dozë heroinë.

Shpejt sherri degjeneroi në përleshje mes dy burrave dhe përfundoi pasi Llupo nxori një thikë dhe e goditi viktimën duke i shkaktuar atij plagë të rënda dhe hemorragji.

Pavarësisht se dy persona që ndodheshin me Mazaraqin ia lidhën këmbën me një fashë, 2 orë më vonë viktima vdiq prej hemorragjisë edhe pse në zonë mbërritën ambulancat dhe policia.

Mjeku ligjor që ekzaminoi trupin e viktimës tha se ai kishte humbur jetën prej prerjeve të shumta me thikë, duke i shkaktuar hemorragji të rëndë fatale.

Dy dëshmitarë okularë i thanë policisë, me siguri të plotë, se autori ishte Llupo, por pavarësisht operacionit për gjetjen e tij, nuk u bë i mundur arrestimi në territorin grek.

Vetëm paraditen e së enjtes 23 nëntor, policia nëpërmjet familjarëve të autorit të dyshuar mundi të komunikojë me Orjon Llupon, ku pa asnjë mëdyshje, Llupo pranoi se ishte ai që plagosi dhe vrau Mazaraqin.

Prej hetimeve rezultoi se Llupo kishte kaluar në territorin shqiptar dhe ndodhet në zonën e Divjakës. Policia thotë se ai refuzoi të kthehet për t’u dorëzuar, ndaj dhe ka do të nisë menjëherë procedurat për arrestimin e tij në Shqipëri dhe ekstradimin tij në Greqi për t’u gjykuar.

Llupo rezulton se ka pasur veprimtari të shpeshtë kriminale. Ai është dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje dhe shkelje të ligjit për emigracionin. Gjithashtu Llupo ka procedime të hapura edhe në vendin tonë. Ai është ndaluar në Sarandë dhe Lushnjë, nën akuzat e përdorimit të lëndëve narkotike, ku po procedohej në gjendje të lirë.