Policia e Sarandës ka mundur të parandalojë një ngjarje kriminale, falë inteligjencës policore dhe reagimit në kohë.

Janë arrestuar 4 shtetas pasi kishin krijuar kushtet dhe ishin gati të rrëmbenin një 49-vjeçar në Sarandë.

Janë arrestuar dy vëllezërit Julian Brinja dhe Sandri Brinja si dhe dy shtetasit Gjergji Prenga dhe Angelos Tsimperis. Ata u ndaluan nga policia në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës teksa po lëviznin me një automjet tip “BMW”.

Gjatë kontrollit u gjet 1 armë pistoletë dhe lidhëse plastike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Dyshohet se në kërcënimin e armës do rrëmbenin një 49-vjeçar për motive të dobëta.

“Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale, falë inteligjencës policore dhe reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë.

Të armatosur me armë zjarri pistoletë, me qëllim rrëmbimin e një 49-vjeçari, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 4 shtetas.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, automjeti dhe lidhëse plastike që do të përdoreshin për këtë ngjarje.

Falë inteligjencës policore dhe si rezultat i hetimeve të thelluara që po kryhen intensivisht në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për të zbardhur ngjarjet kriminale të ndodhura së fundi dhe për të parandaluar ngjarje të tjera të mundshme kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, duke vlerësuar edhe informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.

Ditën e djeshme, në rrugën “Skënderbeu”, në lagjen nr.1, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas adiministrimit të informacionit, kanë ndërhyrë menjëherë duke ndaluar automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin A. T. dhe pasagjerë shtetasit J. B. dhe S. B. (vëllezër) dhe Gj. P.

Gjatë kontrollit në automjet, në vendin e pasagjerit ku qëndronte shtetasi J. B., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe lidhëse plastike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit J. B., 28 vjeç, S. B., 27 vjeç, A. T., 20 vjeç dhe Gj. P., 29 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.

Këta shtetas dyshohet se në kërcënimin e armës do të rrëmbenin një shtetas 49 vjeç, banues në Sarandë, për motive të dobëta.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, shkruhet në njoftimin e policisë.