Një 36-vjeçar është plagosur me armë zjarri paraditen e sotme në Xhafzotaj të Durrësit.

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar ditën e sotme në Durrës, ndërsa raportohet se një person ka mbetur i plagosur.

Policia bën me dije se i plagosur ka mbetur Enidor Dedja, 36-vjeç, ndërsa është dërguar me urgjencë në spital.

Sipas informacioneve paraprake, bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur vetëm pak minuta më parë në fshatin Xhafzotaj.

Policia njofton se dy persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe më pas situatat ka agravuar teksa njëri prej tyre ka përdorur armë zjarri duke plagosur tjetrin.

Sakaq, mësohet se autori, Arbër Hoxha, 30 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij.

“Shijak/Informacion paraprak Rreth orës 11:15, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi E. D.,36 vjeç, banues në Shijak, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar shtetasit A. H., 30 vjeç, banues në Durrës dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.