Policia e Tiranës ka zbuluar një rast të pazakontë prostitucioni, të ngritur nga tre shtetas të huaj. Këta të fundit, kishin krijuar një rrjet me bazë në kryeqytet, “biznes” të cilin e reklamonin nëpërmjet internetit.
Sipas policisë, organizator i këtij aktiviteti të jashtëligjshëm ishte Guzman Gil Raibel Joisquel, një 29-vjeçar nga Venezuela.
Ndërsa 31-vjeçari Daniele De Carli dhe një 19-vjeçar, po ashtu të huaj, shfrytëzoheshin prej tij për të ushtruar prostitucion.
Autoritetet vunë në pranga organizatorin dhe 31-vjeçarin, ndërsa 19-vjeçari u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Mësohet se këta persona kishin marrë me qera një shtëpi në rrugën “Kongresi i Tiranës” dhe nëpërmjet një faqeje në internet, krijonin kontakte me njerëz të ndryshëm, për të ushtruar prostitucionin, kundrejt pagesave 150-300 euro.
‘Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi G. J. shfrytëzonte për prostitucion, dy shtetasit e tjerë, të cilët kishin ardhur nga vende të ndryshme, në Shqipëri, ishin akomoduar në një banesë me qira, në rrugën “Kongresi i Tiranës”, dhe nëpërmjet një faqeje në internet, krijonin kontakte me njerëz të ndryshëm, për të ushtruar prostitucionin, kundrejt pagesave 150-300 euro’, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Dyshimet e policisë janë se në këtë aktivitet kriminal mund të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë, ndaj hetimet vijojnë.