Pas ngjarjes në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku Arben Lleshi u vra nga i dënuari tjetër Sokol Mjacaj, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hartuar disa ndryshime në organizimin e sektorëve në qelitë e vuajtjes së dënimit.

Ndryshimet konsistojnë në rritjen e sigurisë në këto ambiente, dhe për të shmangur të dënuarit në konflikt interesi.

Në burgun e Fierit, është caktuar një sektor i posaçëm, ku do të qëndrojnë ish-zyrtarët e shtetit, të përfshirë në afera korrupsioni, apo shpërdorimi detyre.

Pas miratimit të ndryshimeve 10 ish-zyrtarë u transferuan në burgu i Fierit, pranë këtyre ambienteve.

Bëhet fjalë për ish-ministrin Lefter Koka, ish-deputetin Alqi Bllako, por edhe ish-kryebashkiakët Vangjush Dako, Fran Tuçi, Lefter Alla, Safet Gjici dhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri. Në listën e 10 të pandehurve të transferuar në paraburgimin e Fierit janë dhe ish-zyrtarët e drejtësisë dhe policisë, Oltion Bistri, Dedan Gjoni dhe ish-prokurori Xhevahir Lita.

Një ndryshim rrënjësor është edhe funksionimi i regjimit të posaçëm 41-bis.

Ndonëse më herët kishte qeli 41-bis vetëm tek burgu 313 tashmë do të ketë edhe në burgjet e tjera.

Regjim të rreptë ndaj të tyre do të ketë në burgun e Fierit dhe të Peqinit.

Sektori që deri më tani ka funksionuar për regjimin 41 bis, tashmë është liruar dhe aty janë vendosur të gjithë të penduarit e drejtësisë.

Për momentin pranë burgut 313 nuk do të ketë regjim 41-bis, deri në një urdhër të dytë.