Tre shtetas shqiptarë janë ekstraduar nga Italia, Gjermania dhe Greqia drejt vendit tonë.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ndaj dy prej tyre rëndonin akuzat për trafik narkotikësh, ndërsa ndaj 65-vjeçarit të ekstraduar nga Greqia, Gjykata e Durrësit ka vendosur një dënim me 3 vite burg për mashtrim.
Shtetasit e ekstraduar i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërkohë që vijojnë veprimet proceduriale.
Njoftimi i Policisë:
Interpol Tirana-Ekstradohen nga Italia, Gjermania dhe Greqia, 3 shtetas të akuzuar/dënuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për mashtrim.
Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, Gjermani dhe Greqi, me objektiv lokalizimin, vënien në pranga dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u kryen ekstradimet:
-nga Italia në Shqipëri, i shtetasit S. P., 42 vjeç. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar 42-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Gj. L., gjatë periudhës 2017-2018, ka shitur rreth 67 kg lëndë narkotike cannabis sativa;
-nga Gjermania në Shqipëri, i shtetasit A. Gj., 43 vjeç, banues në Shkodër, pasi Gjykata e Shkallës se Parë e Juridiksionit të Pergjithshëm Shkodër i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar për prodhimin dhe shitjen e 20 kilogramëve lëndë narkotike cannabis sativa, që u sekuestrua nga Policia, në fshatin Grudë Fushë, në vitin 2021.
-nga Greqia në Shqipëri, i shtetasit B. K. alias Z. K., 65 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Shtetasit e ekstraduar i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.