Duke ditur se në Shqipëri krahu i punës po largohet çdo ditë e më shumë, punëdhënësit janë të detyruar të joshin punëtorët e rinj me paga tepër të larta dhe jo shumë normale për punën që ofrojnë.

Musli Rexhmati, pronari i një pike lavazhi në Tiranë kërkon punëtorë dhe paga që ofron është 900 mijë lekë(të vjetra) plus siguracionet. Gjatë një interviste televizive ai tha se njoftimi i tij tërheq vëmendjen e të gjithëve, pasi punë ka por mungojnë profesionistët dhe stafi i mirë.

Ne po kërkojmë staf dhe pagesa është 900 mijë lekë në muaj, plus siguracione. Qeshin të gjithë se mendojnë se është shaka, por e vërteta është se unë nuk bëj shaka. Ne kemi më shumë se 20 vite që ushtrojmë këtë aktivitet, puna shkon mirë po duhet rritur shërbimi dhe kjo arrihet duke pas staf të mirë. Po nuk po gjejmë staf.

Prej dy muajsh, pronari i lavazhit është në kërkim të punëtorëve profesionistë dhe për këtë ai ka trefishuar edhe rrogën.

Jam detyruar të 3-fishoj rrogën për të pas stafin e mirë, kam vënë një tabelë aty 900 mijë lekë plus sigurime thjesht mos të mbes pa staf. Ka nja dy muaj që e kam vënë se kam hequr pasi nuk kam stafin që dua. Për momentin unë kam nevojë për 7 veta, por më duket si e vështire.

Më tej ai tha se të rinjtë joshen vetëm prej rrogës por atyre iu mungon kultura e punës dhe durimi për të punuar.

Trokasin vetëm djem të rinj, sepse ata kanë nevojë për lekë, pun ojnë 15 ditë dhe ikin. Nëse ka një familjar që kërkon rrogë të mirë është i mirëpritur.