Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga masakra e Paskuqanit, ku Dan Hutra qëlloi për vdekje motrën dhe kunatën e ish-bashkëshortes, ndërsa ekzekutoi në Kamëz edhe ish-të dashurën e tij e më pas qëlloi me thikë duke e plagosur rëndë të dashurën aktuale.

A2CNN ka siguruar akt-padinë e ish-bashkëshortes së autorit, Elena Hysa, e cila së bashku me të ëmën, mbetën të plagosura sot nga sulmi me armë i Dan Hutrës. Dëshmia e saj është vërtet tronditëse, duke treguar disa episode ku është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ky shtetas në ditë të ndryshme si dhe është trajtuar si ‘skllave’.

Sipas dëshmisë në fjalë, Elena thotë se ish-bashkëshorti i kërkonte që t’ia hiqte dhe vishte çorapet nga këmba, mëngjesin dhe kafen t’ia çonte te krevati. Referuar vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, akuzuesja, pra Elena Hysa ka treguar se është goditur me shpulla në prezencë të mamasë së tij, Mislime Hutra.

‘Para disa ditësh ka pasur disa shqetësime shëndetësore dhe së bashku me vjehrrën e saj kanë shkuar në farmaci ku kanë marrë një test shtatzënie. Pasi e ka aplikuar ka rezultuar pozitive dhe menjëherë ka telefonuar Danin për t’i dhënë lajmin. Ai e ka pritur shumë mirë dhe kanë organizuar një darkë familjare ku ka qenë të ftuar të dy familjet.

Pas kësaj kanë bërë një eko barku dhe disa analiza.  Në mbrëmje Dani ka komunikuar me spitalin ku ka marrë rezultatin e analizave, por nuk ka treguar gjë. Në mëngjes Dani i ka thënë ‘më ke hy në gjak’ por nuk i ka treguar arsyen.

Ai i kishte thënë familjarëve të tij se Elena ishte e sëmurë dhe jo shtatzënë pasi ato e telefononin për ta pyetur si ishte gjendja e saj. Duke u ndodhur në këtë situatë është larguar nga banesa dhe ka shkuar në banesën e prindërve ku më pas ka vajtur dhe shtetasi Dan Hutra duke drejtuar babait të saj me fjalët; ‘Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku deri në gju sepse vajza juaj më ka ikur nga shtëpia.’

Përpara se të largohej i ka kërkuar babait të vajzës ti kthente 4 (katër) mijë euro, të cilat ishin shpenzimet e fejesës. Ditën e djeshme nëna e saj shtetasja Kujtime Hysa i ka dhënë 1850 (një mijë e tetëqind e pesëdhjetë) euro, por ai ka telefonuar përsëri duke kërkuar pjesën tjetër e duke kërcënuar me fjalët që nëse nuk i gjejnë do vij te shtëpia e do ta bej vendin gjak.

Pas kësaj telefonate ka shkuar te shtëpia e tyre dhe ka kërkuar pjesën tjetër duke thënë: ‘Nëse nuk mi jepni do ta bëj vendin gjak, nuk do mbaj kopilin tuaj, do flasin mediat botërore për mua’. Ndër të tjera ajo ka treguar se ndihet e frikësuar për jetën e saj dhe të familjarëve pasi shtetasi Dan Hutra është dënuar më parë për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij.’, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Tiranës.