Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Arlind Gjokutaj është arrestuar për shpërdorim detyre.

Hetimi kishte nisur nga Prokuroria e Tiranës disa muaj më parë pas ndalimit të shtetasit Ilir Thana dhe sekuestrimin e rreth 220 milionë lekëve që ai dyshohet se i kishte përfituar në mënyrë të padrejtë nga buxheti i shtetit si kompensim për një ndërtesë të privatizuar në Tiranë.

Në total, dëmi që llogaritet se i është bërë buxhetit të shtetit shkon në rreth 1.2 milionë euro. Në këtë mashtrim, Ilir Thana dyshohet se u ndihmua nga zyrtarët e lartë të ministrisë së Financave.

Gjokutaj ishte emëruar në këtë post në vitin 2021, por së fundmi është shkarkuar së bashku me dy zyrtarë të tjerë.

Gjokutaj ka mbajtur më herët poste të rëndësishme si drejtor i Doganave, si dhe ka qenë pjesë e Njësisë Speciale të Antikorrupsionit dhe Antievazionit.

Arlind Gjokutaj ka qenë edhe pjesë e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.