Prej 40 vitesh, Desdemona Paskali ushtron zanatin e endjes tradicionale në tezgjahun prej druri në Gjirokastër.

Ajo e ka nisur që në moshë të vogël dhe me kalimin e viteve është bërë një prej mjeshtreve të punimit në avlëmend duke realizuar qilima e sixhade me motive të larmishme. Desdemona shprehet se zanatin e punimit në avlëmend druri e ka trashëgimi familjare.

“Unë kam filluar punën që 14 vjeç, në ndërmarrjen artistike. Kam 40 vjet përvojë në këtë punë dhe akoma e vazhdoj këtë biznes pas shumë vitesh, më pëlqen ky zanat. Unë në të vërtetë kam punuar edhe me qëndisje në dorë kur kam qenë fëmijë, por kjo punë  më ka tërhequr akoma më shumë sepse e kemi edhe trashëgimi nga familja ime që babai ka qenë modelist në fabrikë të këpucëve dhe është marrë me modele. Gjyshi ka qenë skulptor në gur që edhe ai prapë është marrë me modele dhe kështu që trashëgimia është vazhduar edhe tek unë”, tregoi ajo.

Megjithëse e cilëson punimin në tezgjah të vështirë për një grua sërish ajo nuk ka hequr dorë nga ky zanat. Pas viteve 90-të çeli një qendër artizanati në Pazarin e Gjirokastrës ku vazhdon të ushtrojë mjeshtërinë e punimit në avlëmend druri.

“Është punimi me zik-zake shumëngjyrëshe, ka qenë shqiponja që e hidhnim kuqezi në tezgjah, kanë qenë shumë shumë modele, modele me trëndafila. Tezgjahu është puna më e vështirë  për një grua e sidomos kur është e ngarkuar edhe me gjëra të tjera në jetë, por për mua është vërtetë e vështirë, por edhe kaq e bukur se nxjerr gjëra të bukura nga dora ime dhe më pëlqejnë plus që pëlqehen shumë edhe nga turistët”, tha Desdemona.

Përgjatë ditëve të verës qendra e saj e artizanatit kthehet në një qendër trajnimi ku turistët e tërhequr nga punët plot mjeshtëri shprehin interesimin për endjen në tezgjah.

“Këta turistët nga vende të ndryshme janë futur në tezgjah, kanë hedhur fije për të mësuar sadopak, janë shumë kuriozë për të mësuar, shumë kuriozë për të parë sesi  punohet, tërhiqet shumë nga turistët është një gjë e veçantë , është punë dore”, tha artizania per euronews.

Gjirokastritja apelon që të rinjtë duhet të trashëgojnë traditën dhe punimi ne avlëmend druri nuk duhet të harrohet si një pjesë e veçantë e saj por edhe si mundësi punësimi.

“Do doja shumë që kjo punë ti tërhiqte të rinjtë por  nuk janë shumë të interesuar për  këtë punë më tepër janë të interesuar të  rinj të huaj sesa  të rinjtë vendas,  por që duhet ta vazhdojnë sepse kjo traditë  nuk duhet të humbasë”, u shpreh Desdemona.