Më shumë se 50 deputetë konservatorë i kanë kërkuar kryeministrit Rishi Sunak që të ndryshojë ligjet moderne të skllavërisë për ta bërë më të lehtë dërgimin e emigrantëve në shtëpi.

Letra e nënshkruar nga ish-sekretari i Brexit, David Davis, kërkon që ata emigrantë që vijnë nga “vendet e sigurta”, si Shqipëria, të kthehen sa më shpejt vendet e tyre. Deputetët thonë se një ndryshim “i thjeshtë” në ligj mund të lehtësojë krizën aktuale.

Përfaqësues të Zyrës së Brendshme kanë deklaruar se Sekretarja e Brendshme Suella Braverman është “duke punuar” për të zgjidhur këtë çështje. Braverman dhe Sunak po punojnë “për të sjellë reforma për të ndihmuar në frenimin e fluksit të emigrantëve nëpër Kanal”.

Më shumë se 40,000 njerëz kanë kaluar me gomone nga Franca deri më tani këtë vit. Shumë prej tyre pasi mbërrijnë në Britani, deklarojnë se janë viktima të skllavërisë moderne, por deputetët thonë se diçka e tillë nuk duhet të merret në konsideratë dhe ata të kthehen menjëherë në vendlindjet e tyre.

Deputetët, duke përfshirë ish-ministrat e kabinetit, Liam Fox dhe Esther McVey, dhe mbështetësit veteranë Sir Peter Bottomley dhe Sir Graham Brady, janë midis 50 anëtarëve të politikanëve konservatorë që bëjnë thirrje për ndryshim. Ata argumentojnë se kjo “mënyrë e drejtpërdrejtë dhe e zbatueshme ligjërisht e adresimit të krizës” do të ishte një “parandalues ​​shumë i fortë” për ata që mund të planifikojnë të bëjnë udhëtimin nëpër Kanal.

Davis tha se numri i njerëzve nga vende të sigurta si Shqipëria që kërkonin azil në MB po “paralizon të gjithë sistemin”.