Kryeministri Edi Rama në takimin e Asamblesë së Zgjeruar të PS-së në Fier, foli dhe për reformën në drejtësi.

Ai theksoi në fjalën e tij, se drejtësinë e re nuk e sollën amerikanët, NATO apo SPAK-u, por Partia Socialiste.

“Këtu ka dy pozicione të dallueshme në debatin publik, sipas meje. Njëri pozicion është drejtësinë e re e solli Amerika, tjetri pozicion është s’ka drejtësi të re, por ka një skap që po na kap se e ka kapur Edi Rama. Të dyja këto janë të pavërteta. Thjesht të pavërteta! Para ca ditësh po bisedoja me Fatmir Xhafën, që për një kohë shumë të gjatë ka qenë në tryezat qysh kur ishim në opozitë ku është diskutuar çështja e reformës në drejtësi. E solla emrin e tij se ai ka një zakon të vjetër që mban shënime, është zakon. Dhe më kujtoi që ne këtë që bëmë dhe po vazhdojmë të bëjmë e kemi nisur jo kur unë e kam përsëritur shpesh, për programin e 2013-ës, po shumë kohë më parë, jo si bisedë.

Kur në opozitë, ne i kemi propozuar qeverisë së asaj kohe një pakt kombëtar për drejtësinë, ka qenë dokument i propozuar nga PS. Në 2008-ën. Në 2009-ën ne nuk morëm dot fitoren, na bëri mirë se pastaj mësuam që të fitojmë dhe vetëm të fitojmë. Pastaj kemi shkruar programin për një Rilindje shqiptare dhe e kemi në program. Kishte nga ne plot si do e vëmë në program që do bëjmë reformën në drejtësi kur ne s’kemi për të marrë 94 vota që të kemi fuqi të ndryshojmë Kushtetutën, ne do marrim shumicën inshallah, por jo aq vota. U thosha ne do e vëmë këtu dhe do e bëjmë. Se si do bëhet se kam filxhanin ta shoh, po do bëhet. Sepse i ka ardhur koha dhe ka ardhur në pikën që nuk mban më kjo punë.

Jo amerikanët, po gjithë forcat e NATO-s bashkë nuk e bënin dot këtë, e para se nuk është fare puna e tyre ta bëjnë këtë. E dyta, nëse sot pandëshkueshmëria nuk është më mit dhe gjithkush është i ndëshkueshëm kjo ndodh vetëm sepse ekziston Partia Socialiste e Shqipërisë. Askush tjetër! As ata që ishin, as ata që duan të jenë, askush. Nuk e kanë këtë kapacitet shtet bërës që ka PS në DNA-në e vet.”

Sipas Ramës, Amerika e ka mbështetur masivisht reformën në drejtësi, por udhëheqjen e këtij procesi e ka forca qeverisëse.

“Nuk është Amerika që bëri Reformën në Drejtësi dhe sigurisht gjeti dhe pati për këtë reformë një mbështetje masive të aleatëve strategjikë. A bëhet pa mbështetjen e tyre? Jo nuk bëhej. Por tjetër është ta udhëheqësh, tjetër është ta mbështetësh. Dhe për ta udhëhequr duhet një forcë në vend që ta udhëheqë.”- tha Rama.