Pas vendimit të AKU për produktet e kosit dhe të salcës së kompanisë ‘Gjirofarma’, një reagim zyrtar ka ardhur edhe nga kjo kompani në lidhje me bllokimin e ushtrimit të aktivitetit të kësaj shoqërie.

Në këtë reagim, kompania e mirenjohuir ‘Gjirofarma’ thotë, se në veprimtarinë e saj thelbësore është siguria dhe shëndeti i konsumatorëve, dhe se në asnjë rast nuk do të ndërmerrnin veprime që mund të vënë në rrezik ata.

Ja reagimi i plote i kompanise ”Gjirofarma”:

Duke marrë shkas nga shqetësimet e shprehura nga disa prej klientëve tanë, të cilat lidhen me disa publikime të ditëve të fundit  në raport me shoqërinë ”Gjirofarma”sha, por edhe në kuadër të përgjegjësisë tonë për konsumatorët që na kanë dhënë besimin e tyre prej vitesh, çmojmë të nevojshme që të informojmë publikun, konsumatorët dhe bashkëpunëtorët tanë për të vërtetën, me qëllim shmangien e çdo përpjekjeje për keqinformim të publikut dhe çdo mundësie për abuzim, siç kemi konstatuar që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve.

Shoqëria “Gjirofarma”sha ka si objektiv kryesor të veprimtarisë së saj, ofrimin e produkteve cilësore, të cilat përmbushin të gjitha standardet shëndetësore dhe sanitare, jo vetëm të Republikës së Shqipërisë, por edhe në vende të tjera përfshirë SHBA, duke qenë se produktet tona eksportohen gjerësisht në këto vende, ku edhe kalojnë në kontrollet më të rrepta dhe të imtësishme. Në kuadër të përmbushjes së këtij objektivi, shoqëria jonë kryen kontrolle periodike dhe të shpeshta të prodhimit, nëpërmjet analizave laboratorike brenda dhe jashtë vendit, me qëllim marrjen e të gjitha masave të nevojshme për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve tona.

Në datë 31.12.2021, nga analizat laboratorike të kryera mbi bazën e mostrave të paraqitura nga vetë shoqëria ka rezultuar që te një sasi e limituar e produktit Kos, një prej parametrave të mos ishte brenda standardeve të kërkuara. Shoqëria jonë në mënyrë të menjëhershme mori të gjitha masat e nevojshme për ndalimin e tregtimit të këtij produkti.
Lidhur me masat e marra, çmojmë të nevojshme të sqarojmë se:

1.      Analiza laboratorike nga e cila rezultoi problematika e sipërpërmendur, është kryer me iniciativën tonë, të shoqërisë “Gjirofarma”sha dhe në kuadrin e vetëkontrollit të prodhimit.

2.      Menjëherë sapo u informuam për rezultatet e analizave, shoqëria “Gjirofarma”sha, identifikoi lotet e produktit me probleme dhe ka kontaktuar me të gjithë  klientët e saj, duke proceduar me tërheqjen e menjëhershme të produkteve në fjalë nga tregu si dhe ndërprerjen e menjëhershme të prodhimit. Gjithashtu shoqëria ka informuar edhe autoritetet kompetente për këto rezultate.

3.      Në vazhdim shoqëria proçedoi me kontrollin e imtësishëm të linjës së prodhimit dhe pasi u konstatua problemi, që kishte shkaktuar problemin te produkti, u krye riparimi i tij.

4.      Me autorizimin e autoriteteve kompetente, në vazhdim shoqëria ka prodhuar një sasi të limituar produktesh nga kjo linjë prodhimi dhe është proçeduar me ridërgimin e tyre për testim, në laboratorin shtetëror të Shqipërisë si dhe në një laborator privat të një vendi të BE-së. Rezultati i analizave nga laboratori privat i ardhur konfirmon se tashmë produkti është në cilësinë e duhur dhe përmbush të gjitha standardet. Ne mbetemi në pritje të ardhjes së përgjigjes zyrtare nga laboratori shtetëror i Shqipërisë, për të cilat do t’ju njoftojmë menjëherë.

Shoqëria Gjirofarma, siguron publikun, konsumatorët dhe bashkëpunëtorët e saj se është një shoqëri me përgjegjshmëri të lartë sociale dhe emri i mirë i krijuar me punë dhe përkushtim është dëshmi e cilësisë së produkteve të saj.

Ne si shoqëri kemi thelbësore në veprimtarinë tonë sigurinë dhe shëndetin e konsumatorëve tanë dhe në asnjë rast nuk do të ndërmerrnim veprime që mund t’i vënë këto në rrezik. Sigurojmë gjithashtu publikun, se nga ana jonë, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar që fenomene dhe ngjarje të tilla të përsëriten në të ardhmen.

Ne si shoqëri dënojmë përhapjen e informacioneve të rreme dhe të pabazuara, të cilat janë vënë re nga disa prej mediave ditët e fundit, të cilat nuk kanë për synim të informojnë publikun, por të prishin imazhin e shoqërisë sonë dhe statusit të saj si lider në fushën e prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij.

Gjirokastër, më 17.01.2022

Shoqëria “Gjirofarma”sha