Pas 1 Tetorit, ministrja e MIE Belinda Balluku ka komunikuar rritjen e energjisë elektrike për familjet shqiptare.

Arsyeja e kësaj rritjeje është rritja e çmimit të energjisë në bursat ndërkombëtare sipas Ballukut.

“Çmimet e energjisë në bursat ndërkombëtare janë rritur. Fasha 800 kilovat orë energjie është vendosur nga ne tashmë, ka disa propozime nga Operatori i Shpërndarjes dhe do të diskutohet zgjidhja më e mirë e për të diferencuar atë që kemi thënë. Diferenca duhet që të bëhet. Ata qytetarë që harxhojnë më shumë do të duhet të paguajnë më shumë në faturë”,-u shpreh ajo.

Tavani i vendosur nga qeveria 800 kilovat orë energji elektrike në muaj, nëse kalohet, diferenca do të paguhet dyfish më shtrenjtë.

“Me çmimin e lartë do të paguhet vetëm diferenca, jo e gjithë vlera e energjisë së shpenzuar. Kjo diferencë mund të jetë nga 70-80% më shtrenjtë se çmimi që tarifohet aktualisht për konsumatorët, që do të thotë se çdo kilovat orë e shpenzuar mbi sasinë 800 kv do të kushtojë gati dyfish më shtrenjtë”, deklaroi Balluku ndër të tjera.