Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se ka kaluar në qeveri një akt normativ, që i jep zgjidhje të gjitha detyrimeve të prapambetura ndaj policëve. Më tej ai sqaroi sa i përket trajtimit financiar të punonjësve të policisë, pagesat e orëve shtesë dhe rritjen në buxhet.

Detyra e Ministrit të Brendshëm lidhet drejtpërdrejt me trajtimin e duhur financiar të punonjësve të policisë. Kemi kaluar në qeveri një akt normativ ku i japim zgjidhje të gjitha pagesave apo detyrimeve të prapambetura me orët jashtë orarit, i cili hyn në fuqi menjëherë. Në ditët në vijim, për çdo orë jashtë orarit të punës do të kryhet pagesa dhe do ta ndjek personalisht“, deklaroi Balla.

Unë e di që paga aktuale e punonjësve të policisë është shumë e ulët krahasuar me nevojat që ka çdo familje e një punonjësi policie. Me buxhetin e shtetit 2024, do të kemi një rritje, e cila ndoshta nuk është aq sa duhet, por është një hap i madh krahasuar me stadin aktual“, nënvizoi ai.

Në lidhje me problematikat e tjera të ngritura, ministri tha se po punohet për ti zgjidhur shpejt. “Është shumë e rëndësishme që në procesin e rikthimit të besimit të publikut te Policia e Shtetit, kjo duhet të shoqërohet edhe me një qasje të re që njerëzit duhet të kenë ndaj uniformës të punonjësit të policisë”, u shpreh Balla.