Pas denoncimit në emisionin investigativ “Stop”, Policia e Tiranës ka arrestuar farmacistin që ngacmoi një grua e cila kërkonte të kryente abort përmes pilulave.

Uniformat blu bëjnë me dije se se është vënë ën pranga farmacisti H.R. 53 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale kontrabandë me mallra të tjera, tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë dhe fshehje të të ardhurave.

Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që bënte fjalë për një shtetas (farmacist) që tregtonte barna të kontrabanduara, ju sqarojmë se: Shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan shtetasin:

– H. R., 53 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”-thuhet në njoftimin e policisë.

Në denoncimin e Stop përmes kamerës së fshehtë, një qytetare u paraqit në farmacinë e 53-vjeçarit duke kërkuar një ilaç për të bërë abort.

E infiltruara e Stop tha se nuk kishte një recetë nga mjeku për pilulën. Ky ilaç shitet nën dorë në mënyrë ilegale. Farmacisti 53-vjeçar i tha qytetares se do të pyeste në depo e do t’i kthente përgjigje për të marrë këtë pilulë.

E teksa gjatë kësaj kohe priste të vinte ilaçi, farmacisti ngacmoi dhe puthi gruan e cila kërkonte të bënte abort.