Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për masat e sigurisë ndaj 21 protestuesve të arrestuar pas protestës së zhvilluar para Kuvendit.
Për 12 protestues të tjerë, gjykata ka vendosur masën “detyrim paraqitje”, ndërsa për 2 persona është caktuar masa “arrest në shtëpi”. Ndërkohë, për pesë protestuesit e mbetur, gjykata ka vendosur të mos caktojë asnjë masë sigurie.
Jashtë ambienteve të gjykatës janë mbledhur protestues dhe përfaqësues të Grupit Koordinues, të cilët, ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, protestuan duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.
Revoltën për arrestimin e 21 qytetetarëve, protestuesit e shprehën me dhunë në protestën e djeshme kombëtare që u zhvillua në kryeqytet. Pas gati 2 orësh fjalime, qytetarët marshuan si zakonisht rrugëve të kryeqytetit, por situata u tensionua te komisariati numër 3 në rrugën “Mine Peza”, aty ku mbahen protestuesit e arrestuar.
Protestuesit e arrestuar janë në akuzë për 7 vepra penale, shkatërrim prone, kundërshtim i punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje e rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të policisë dhe pengim i qarkullimit të mjeteve. Më 2 korrik, para ambienteve të Kuvendit, deputëtë dhe policë u qëlluan me vezë dhe gurë disa herë.




