VIDEO/Llixhat e Bënjës “thahen” pa u mbaruar investimi prej 2 milionë eurosh, revoltohen turistët kundër Edi Ramës

Jugulajm.net
3 Min Read

Duket se investimi prej afro 210 milionë lekësh nga FSHZH tek Banjat e Bënjës në Përmet, po vihet në diskutim për nga cilësia e punimeve nga firma që implementon këtë vepër unikale në jug të vendit.

Ulja e nivelit të ujit, ndërsa tek Vaska e Lëkurës, e zgjeruar në kuadër të projektit turistik në zonë, është shndërruar në shqetësim. Situata ka ngritur pikëpyetje nëse ndërhyrja i ka marrë në konsideratë prurjet sezonale të burimeve termale. Kur po përfundon muaji qershor në ujërat termale të Bënjës, është vënë re një fenomen që ka ngjallur zemëratë mes vizitorëve vendas por dhe ata të huaj që vijnë përditë në të dhe përballen me këtë situatë të paprecedentë.

Të katër vaskat që kurojnë sëmundje të ndryshme nga ajo e lëkurës, reumatizmës, kyëeve etj, kanë mbetur pa ujë. Jashtë kameras dy ish specialistë të kësaj fushe, shprehen se periudhën e fundit ka pasur ndërhyrje dhe ndryshime të dukshme në disa prej vaskave, veçanërisht tek vaska që kuron lëkurën e cila është boshatisur përkohësisht. Mungesa e ujit tek të katër vaskat, ka sjellë reagimin e fortë të vizitorëve të ndryshëm rastësorë që kemi pyetur të cilët e kanë quajtur këtë situatë si të papranueshme dhe tërësisht skandaloze, kur bëhet fjalë për një investim prej mbi 2 milionë euro.

Turistët që e kanë vizituar më parë Bënjën kanë bërë fajtor per kete gjendje kryeministrin Rama, madje njeri prej tyre e mallkon.

Jo vetëm shqiptarë por edhe dy turistë gjermanë kanë ngelur të shokuar për atë që po ngjet në këto llixha. Sipas tyre, kjo situatë është tërësisht e papranueshme.

Të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, Banjat e Bënjës përbëjnë një nga atraksionet natyrore më të njohura në jug të Shqipërisë. Burimet termale që dalin nga nëntoka formojnë disa vaska natyrore me temperatura që variojnë sipas burimit, ndërsa prej dekadash zona frekuentohet nga vizitorë vendas dhe të huaj për banjat termale, peizazhin natyror dhe afërsinë me monumente të mbrojtura si Ura e Katiut, urë osmane e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe Kanioni i Langaricës, i shpallur Monument Natyre për vlerat e tij gjeologjike, ekologjike dhe peizazhore.

Ujërat termale të Bënjës, ku po zbatohet projekti “Bënja-Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, njihen tradicionalisht për përdorimin e tyre në trajtime relaksuese dhe për probleme të ndryshme të lëkurës, muskujve dhe kyçeve, çka ka bërë që llixhat të mbeten ndër destinacionet më të frekuentuara turistike dhe kurative në Shqipëri.

Share This Article