Rama ndoshta është “fëmija” më i keq i politikës, por fle në prehrin e “nënës” së saj…

Jugulajm.net
4 Min Read
Nga Fejzo Subashi
Absolutisht që, pas një qëndrimi kaq të gjatë në krye të ekzekutivit dhe sidomos me një shumicë të fortë e vazhdimisht në rritje, e prisja që maxhoranca dhe Kryeministri Rama të përballeshin me situatën ku ndodhen sot.
Nuk besoj se Ramës i mungojnë këshilltarët, pavarësisht nëse i dëgjon apo jo, që unë t’i jap këshilla. Por si gazetar, e ndjej detyrim të jap opinionin tim dhe të bëj analizën time.
Nëse Rama do të kishte krijuar mundësinë e rotacionit në zgjedhjet e vitit 2021, sot jo vetëm që mund të ishte fitues i zgjedhjeve të vitit 2025, por as ai, as maxhoranca dhe aq më pak Shqipëria nuk do të ndodheshin përballë kësaj mjegulle të madhe pasigurie, dyshimesh dhe problemesh që rëndojnë mbi të ardhmen.
Por ajo që iku, iku. Sot jemi këtu ku jemi.
Rama jo vetëm që nuk pranon fajin apo përgjegjësinë për gjithçka që nuk ka shkuar mirë, por ai ka edhe argumentin e tij: “Më ka votuar populli. Kam një kontratë me qytetarët dhe do ta zbatoj. Kam 83 mandate.”
Duam apo nuk duam, duhet të rrimë shtrembër e të flasim drejt: edhe ai ka argumentin e vet, ashtu si qytetarët kanë të drejtën e tyre për të kërkuar llogari.
Por a është Rama i pari që nuk zbret nga kali i pushtetit? Jo.
A është i vetmi që sillet sikur historia e Shqipërisë fillon me ardhjen e tij? Jo.
Dhe me shumë gjasa nuk do të jetë as i fundit.
Problemi është më i thellë.
A ka pasur ndonjëherë një lider politik që të ketë mbajtur përgjegjësi individuale për pasojat e politikave të tij? A është përballur ndonjëherë seriozisht me pyetjen: “Pse drejtimi juaj na solli në këtë gjendje?”
Vështirë të gjesh një shembull.
Ata që janë ndëshkuar, shpesh janë ndëshkuar për çështje periferike, por rrallëherë për mënyrën se si kanë drejtuar shtetin, për premtimet e pambajtura apo për dëmet e shkaktuara ndaj institucioneve dhe shoqërisë.
Po a ka ndonjë kryetar partie që është larguar vullnetarisht nga drejtimi i saj për shkak të dështimeve politike?
Pothuajse asnjë.
Dhe këtu qëndron thelbi i problemit.
Ne nuk kemi të sëmurë vetëm një fëmijë të politikës. Ne kemi të sëmurë nënën që i lind dhe i rrit këta fëmijë.
Nuk kemi problem vetëm me një lider apo me një parti. Problemi është vetë kultura politike shqiptare, modeli i organizimit të partive dhe mënyra se si konceptohet pushteti.
Ndoshta Rama është fëmija më problematik, më i fortë apo më i diskutueshëm i kësaj familjeje politike. Por halli nuk është vetëm ai.
Halli është nëna.
Sepse, nëse nuk shërojmë nënën që prodhon të njëjtat sjellje, të njëjtat mendësi dhe të njëjtat deformime, atëherë ndryshimi i një emri me një tjetër nuk zgjidh asgjë.
Thjesht ndërrojmë barrën mbi të njëjtën shpinë dhe vazhdojmë të ecim në të njëjtën rrugë.
Share This Article