Kryeministri Edi Ram apo mban një takim me pronarët e tokës ku pretendohet të zbatohet projekti në Zvërnec.
Një banor i Zvërnecit i është drejtuar kryeministrit Edi Rama, duke shprehur shqetësimin për çështjen e pronave dhe duke thënë se disa prej deklaratave të kreut të qeverisë e kanë prekur personalisht.
Banori tregoi se familja e tij ka zhvilluar një betejë të gjatë ligjore për pronën e trashëguar brez pas brezi, një proces që, sipas tij, zgjati dekada.
“Ajo është një tokë e trashëguar dembabadem. Im atë ka luftuar për atë tokë për 25 vite, derisa ndërroi jetë. Pastaj ma la trashëgim mua këtë çështje. Më kanë sorollatur 35 vite. Fakti që nuk kemi vrarë e prerë nuk do të thotë që të mos kemi zë. Disa deklarata tuajat më kanë prekur”, u shpreh qytetari.
Në përgjigje, Rama tha se çështja e ligjshmërisë së kthimit të pronave nuk përcaktohet nga qeveria, por nga institucionet e drejtësisë.
“Fjalët kanë peshë të madhe dhe unë jam shumë i kujdesshëm me to. Kam thënë që prona është kthyer dembabadem dhe kjo ka ndodhur shumë vite më parë, jo në këtë periudhë. Ligji funksionon duke kthyer pronat e trashëguara. Nëse kthimi është i drejtë apo jo, këtë nuk e vendos unë dhe as qeveria, por gjykata”, deklaroi kryeministri.




