Një incident i rëndë mbrëmjen e djeshme në Itali, ku një 48-vjeçar me origjinë shqiptare ka kërcënuar se do t’i vinte flakën vetes pasi kishte spërkatur me benzinë banesën e tij.
Sipas mediave italiane, burri dyshohet se kishte vendosur t’i jepte fund jetës pas një mosmarrëveshjeje familjare.
Alarmi është dhënë rreth orës 22:30, ndërsa disa ekipe zjarrfikësish mbërritën menjëherë në Corso Vercelli dhe u përpoqën të hynin në apartament për të shmangur një tragjedi.
Në vendngjarje mbërritën edhe karabinierët, të cilët nisën të qetësonin 48-vjeçarin. Pas disa orësh bisedimesh, ata arritën ta bindnin të hiqte dorë nga akti i planifikuar dhe të dorëzohej pa shkaktuar dëme.
Pas incidentit, shqiptari u transportua në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe psikologjike.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet që e shtynë 48-vjeçarin drejt këtij veprimi, si dhe rrethanat e ngjarjes.




