Gazetarja Lala flet për fatin e Martinajt: Familja e di të vërtetën, dinë edhe kush e ekzekutoi

Jugulajm.net
6 Min Read
Tre vite pas zhdukjes misterioze të Ervis Martinajt, gazetarja Klodiana Lala ka bërë deklarata të forta lidhur me atë që dyshohet se ka ndodhur me personazhin e njohur të botës së lojërave të fatit.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Lala u shpreh se familja Martinaj është e bindur se Ervis Martinaj nuk jeton më dhe sipas saj ata kanë dijeni edhe për personat që qëndrojnë pas ekzekutimit të tij.

Sipas gazetares, për herë të parë familjarët kanë pranuar publikisht në Gjykatën e Posaçme se Martinaj mund të jetë vrarë, ndërsa procesi që po zhvillohet aktualisht lidhet me pasuritë e sekuestruara nga SPAK dhe jo drejtpërdrejt me një çështje penale ndaj tij.

Gazetarja kujtoi se fillimisht kishte dyshime nëse zhdukja e Martinajt ishte e vullnetshme, por mungesa totale e gjurmëve pas kaq vitesh dhe hetimet intensive kanë forcuar bindjen se ai është rrëmbyer dhe vrarë.

Ajo zbuloi edhe një detaj tjetër të fortë: ish-efektivi Jeton Lami, i arrestuar më herët në kuadër të kësaj dosjeje, kishte vizituar familjen Martinaj para arrestimit të tij, fakt që sipas Lalës është mbajtur larg vëmendjes publike.

Mustafa Martinaj dëshmoi në Gjykatën e Posaçme. Në fakt, procesi ka të bëjë me pasuritë, nuk ka të bëjë me një proces penal; ka të bëjë me vendimin e SPAK për të sekuestruar pasurinë. Dhe zoti Martinaj pretendoi që pasuritë e tij, për shkak të aktivitetit të biznesit gati 30-vjeçar dhe faktit që ai ka punuar si drejtor banke ka patur ekskluzivitete të ndryshme, ka punuar si kambist e të tjera me radhë, pra ka pasur pika të këmbimit valutor. Pretendonte që pasuritë e tij rrjedhin nga burime të ligjshme. Dhe unë besoj që disa nga pasuritë e familjes Martinaj, deri në përfundim të procesit, edhe do të lirohen. Patjetër që një pjesë, ku dyshohen që të jenë pasuri të vendosura nga aktiviteti kriminal i Ervis Martinajt, ndonëse ai nuk ka një vendim të formës së prerë dhe tashmë fati i tij mbetet mister, do të mbeten të sekuestruara. Pra ky është qëndrimi im në raport me këtë çështje.

Çfarë më bëri përshtypje është që për herë të parë në një gjykatë familja Martinaj artikuloi që Ervis Martinaj nuk jeton më. Në fakt, ju e dini, unë kam qenë e dyzuar. E kam raportuar ekskluzivisht atë lajmin në News24, pra kallëzimin e familjes se ai ishte i zhdukur. Kam qenë e dyzuar sepse shpeshherë ndodh që bosë të krimit të organizuar, për shkak të problemeve që kanë, për shkak të kundërshtarëve që kanë, zgjedhin edhe të bëjnë edhe një jetë të tillë apo një zhdukje të vullnetshme. Fakti që pas këtyre… shumë pas shumë kërkimeve, pas investimit edhe të partnerëve të huaj, Ervis Martinaj nuk është gjendur dhe nuk ka asnjë shenjë nga ana e tij, do të thotë që edhe unë besoj që po, ai mund të jetë rrëmbyer dhe të jetë vrarë.

Jeton Lami përpara se të arrestohej ka qenë në familjen e tyre. Kjo nuk është pranuar nga familja, ndoshta nuk do të pranohet kurrë. Ata nuk kanë folur publikisht. Unë kam kërkuar intervista prej tyre, nuk kanë pranuar. Unë mendoj që Jeton Lami e di të vërtetën. Jeton Lami është personi i cili po ashtu është takuar me Brilant Martinaj përpara se Brilanti dhe dy shokët e vet të ekzekutoheshin dhe fillimisht ata nuk kanë dyshuar, por më pas familja ka dyshuar dhe mendoj që ka hetuar privatisht për fatin e Ervis Martinajt. Dhe familja ka bindje që Ervis Martinaj është vrarë, thjesht është në pamundësi për të gjetur trupin. Unë besoj që familja Martinaj mund të ketë shumë më tepër informacion sesa ato çfarë ju kanë dhënë autoriteteve, edhe janë shumë të qartë se nga e kanë dhe kush janë grupimet kriminale sepse bëhet fjalë për disa grupime”, tha Klodiana Lala.

SPAK kërkon konfiskimin e 34 pasurive të Ervis Matinaj dhe personave të lidhur me të, me vlerë rreth 10 milionë euro, me akuzën se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Gjatë procesit gjyqësor është paraqitur për të dëshmuar babai i tij, Mustafa Martinaj, i cili të martën pohoi për herë të parë publikisht se djali i tij është vrarë, ndërsa më herët ka denoncuar zhdukjen e tij.

“Familja ime përbëhet nga unë, bashkëshortja, dy vajzat dhe i ndjeri djali që s’është më. Më vjen turp që vij për lecka e për tulla dhe nuk jam thirrur njëherë nga ana juaj. Kam dhënë deklarime, nga ana juaj asnjë sinjalizim”, tha ai.

Share This Article