Një shqiptare ka humbur jetën në Manhattan të New York-ut, pasi ka rënë një një pusetë. Siç raportojnë mediat amerikane, bëhet fjalë për 56 vjeçaren Donika Gocaj.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur të hënën, 18 maj, teksa gruaja po kalonte pranë kryqëzimit të Rrugës 52 me Fifth Avenue, m’u në ‘zemër’ të lagjes së famshme.
Deri më tani, policia thotë se gjithçka rezulton aksidentale.
Mësohet se 56 vjeçarja kishte parkuar makinën e saj tip “Mercedes-Benz SUV” dhe sapo kishte zbritur, kishte rënë direkt në pusetë. Dyshohet se avulli i nxehtë brenda pusetës, rreth 3 metra të thellë, i shkaktoi arrest kardiak.
Një dëshmitar okular, i cili po shkonte në punë në momentin e ngjarjes, tha se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash.
“Dukej sikur bëri vetëm një hap përpara dhe u zhduk”, ka rrëfyer ai, duke shtuar se Gocaj bërtiste vazhdimisht fjalët: Po vdes!
“Thjesht parkoi makinën, zbriti dhe ra direkt në pusetë”, ka treguar ai.
Autoritetet e New York-ut thonë se puseta i përket kompanisë energjetike “Con Edison”, ndërsa po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas verifikimit të kamerave të sigurisë, dyshohet se kapaku i pusetës ishte zhvendosur pasi një kamion i rëndë kaloi mbi të. Rreth 12 minuta pas këtij momenti, Gocaj parkoi automjetin pranë zones.
“Edhe pse raste të tilla janë shumë të rralla, kapakët e pusetave mund të zhvendosen nga automjetet e rënda”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Familjarët e Gocajt janë shprehur të tronditur nga humbja e saj, ndërsa kërkojnë përgjigje se si një aksident i tillë fatal mund të ndodhte në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.