Me vendimin e fundit, gjykata ka shfuqizuar arrestin shtëpiak dhe ka caktuar masa më të lehta sigurie: ndalim të daljes jashtë territorit të Shqipërisë dhe detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore dy herë në muaj.
Sipas vendimit, Karçanaj do të duhet të paraqitet pranë autoriteteve çdo të martë të parë dhe të tretë të muajit, në orën 10:00, ndërsa nuk lejohet të largohet nga vendi pa autorizim të gjykatës.
Ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tendera publikë, kryerje veprash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, akuza që lidhen me procedura të dyshuara prokurimi publik.
Mirlinda Karçanaj, drejtoresha jetëgjatë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe personi që ka menaxhuar qindramilionë euro nga taksat e qytetarëve, u mor e pandehur dhe u vendos nën masën e sigurisë arrest shtëpie, bashkë me zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi.
Tre biznesmenë, Andis Papa, Gëzim Hoxha e Rogers Rryta, u lanë në masë sigurie ndalim të largimit nga vendi.
Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, një biznesmen tjetër fitues i prokurimeve të AKSHI-t, kompania e të cilit SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024.




