Pas një pune intesive të Prokurorisë së Gjirokastrës, e drejtuar me rigorozitet nga kreu i saj, Petrit Cano, dërgohet në gjyq shtetasi, Andon Bita, banues ne Dropull, me akuzen për ‘pastrim parash’, sekuestrohen 2 apartamente dhe makinë, të dyshuara nga veprimtari të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Andon Bita, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Nga hetimet paraprake për procedimin penal nr.13, të vitit 2022, rezultoi se ky shtetas ka siguruar pasuri të paluajtshme nga të ardhurat nga veprimtaria e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në qytetin e Sarandës, si dhe blerjes së automjetit “Mercedes Benz” me të cilin ushtron aktivitetin e shërbimit “transport udhëtarësh”, ky shtetas rezultoi se ka kryer veprime financiare me qellim shmangien nga raportimi sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave, arsye për të cilën po procedohet penalisht.
Në funksion të hetimit, me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, u caktua “Sekuestro preventive” mbi pasuritë që i përkasin shtetasit A.B. si më poshtë:
a. Pasuria e llojit “Apartament” me sip. 66.8m2, vendodhje rruga “1 Maji”, Sarandë;
b. Pasuria e llojit “Apartament” me sip. 160.7m2, vendodhje rruga “1 Maji”, Sarandë; dhe
c. Autoveturë “Mercedes Benz”.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grup-veprave që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.




