Aksidenti/ Çfarë dëshmoi autori i aksidentit me pasojë vdekjen e 2 fëmijëve: Unë kam qëndruar tek…

Jugulajm.net
2 Min Read

57-vjeçari Nikoll Radaçi, në dëshminë e tij të lexuar nga prokurorja në seancën e sotme për masën e sigurisë ku u la mbas hekurave, ka thënë se para se të hipte në makinën me të cilën aksidentoi për vdekje dy fëmijë në Durrës dhe plagosi një tjetër, kishte pirë një birrë.

Ai ka thënë ndër të tjera se i ka dalë përpara një makinë nga një rrugicë lagjeje dhe se devijoi për të shmangur përplasjen.

Radaçi shprehet se nuk i njihte fëmijët të cilët përplasi me makinë.

”Rreth orës 14.00 kam dalë nga shtëpia dhe do të shkoja të merrja një vegël pune te një shok. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë, papritur nga një rrugicë lagjeje doli një automjet, unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. 

Pasi hipa mbi trotuar, jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin mbi trotuar. Automjeti që unë po drejtoja nuk ka arritur të ndalojë dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. 

Unë kam qëndruar tek dyqani derisa erdhi policia dhe më mori. Për momentin nuk më kujtohet asnjë detaj. Fëmijët nuk i njoh. Unë kam qenë me rreth 30 km/h. Përpara se të drejtoja automjetin unë kam pirë një birrë në mëngjes.”, u shpreh Radaçi.

Share This Article