VIDEO/Lefteri nga fshati Kaludh i Përmetit, koleksionisti unikal i zileve dhe këmborëve shekullore

Jugulajm.net
3 Min Read

Mund të jetë i vetmi koleksionist i instrumenteve tingëllues të bagëtive në jug të vendit, ndoshta dhe në mbarë Shqipërinë. Ndodhet në fshatin Kaludh gati 15 km në veri të Përmetit dhe quhet Lefter Sotiri.

Një pasionant i rrallë në llojin e vet që ka grumbulluar ndër vite lloj-lloj zile, këmborë e çokane që u vendosen bagëtive nga barinjtë për të mos humbur, por dhe për të identifikuar delet por dhe dashin që udhëheq kopenë e të imtave. Këtë haur të banesës së tij një katëshe, ai e ka improvizuar në një ekspozitë ku ka rreshtuar koleksionin e tij të vyer të zileve dhe këmborëve. Kënaqësia e Lefterit 56 vjeçar, është tek tingujt që ato përcjellin sa herë që ai i tund. Sikurse thotë, kjo është kënaqësia dhe pasioni i tij i pamatshëm për të qenë koleksionist i këtyre pasurive të paçmuara.

Në koleksionin e tij të shumtë, figurojnë zile, këmborë e çokane me moshë deri në 300 vjeçare, madje dhe më shumë pretendon ai. Qysh në kohën e turkut, janë tre këmborë që tunden përditë në haurin e Lefterit që ai e quan pa mburrje si ekspozitë e zileve të të imtave. Sikurse thotë, këmborët i ka mbledhur brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe për të janë asete të rralla që nuk munden të shiten me asnjë lloj çmimi.

Lefteri rrëfen se ka refuzuar oferta deri në pesë shifrore në euro për të shitur këmborët me moshë shekullore, por i ka refuzuar sepse sikurse thotë, qejfi nuk ka të paguar. Qejfi i tij është të sodsë këmborët në cdo segment të ditës, t’i tundë dhe të marrë prej tyre kënaqësinë e tingullit që përcjellin. Shumica e këmborëve janë melodioze pasi në përbërjen e tyre kanë përqindjë të mjaftueshme ari për të kumbuar dhe që të dëgjohen në distanca të largëta.

Kjo në rastet kur humbet bagëtia. Lefteri ndryshe nga të tjerët që mund të përfitojnë në të tilla raste është modest dhe apelon tek të gjithë njereëzit kryesisht tek turistët që shëtisin në këto anë, që të vijnë dhe të sodisin, tundin dhe t’u marrin tingullin zileve dhe këmborëve që ka në haurin e shtëpisë kundrejt asnjë detyrimi pasi sikurse thotë ai, qejfi nuk paguhet.

Share This Article