Jonuz Murataj u cilësua si heroi i ngjarjes, pasi u pa teksa u ngjit nëpër shkallë fare pranë flakëve për t’i shpëtuar jetën një gruaje, të cilës i vuri në kokë kaskën e tij madje.
Edhe pse drejton ekipin e zjarrfikësve për të shuar flakët dhe evakuuar banorët, ai i fali edhe një përqafim asaj.
“Më mori e bija në telefon e më tha se ka nënën e sëmurë. Kur shkova ta shpëtoja, më tha: ‘Më lër të digjem me gjithë shtëpi’”, u shpreh shefi i shërbimit zjarrfikës Murataj.
Ekipi i zjarrfikësve mundësoi izolimin e flakëve në një pjesë të kompleksit, pasi nëse nuk ndërhyhej në kohë, zjarri do të merrte përmasa të tjera dhe dëmet do të ishin disa fish më të mëdha.
Gjithashtu ekipi i zjarrfikësve ka qëndruar gjatë gjithë natës dhe ditës së mërkurë në vazhdim, pasi herë pas here aktivizoheshin vatra të vogla.




