Arrestohen 3 persona, kanosën të riun për 30 mijë euro dhe i vodhën makinën

Jugulajm.net
2 Min Read

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Strike”, duke arrestuar tre persona të dyshuar për shtrëngim me anë të kanosjes dhe grabitje të një automjeti në qytetin e Vlorës. Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u zhvillua pas kallëzimit të një 30-vjeçari, i cili kishte denoncuar se ishte kërcënuar nga tre shtetas për t’u detyruar të jepte shumën prej 30 mijë eurosh. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një lokal në lagjen “Pavarësia” në Vlorë.

Menjëherë pas denoncimit, u ngrit një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, i cili, përmes veprimeve të shpejta dhe metodave proaktive, bëri të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në kuadër të operacionit “Strike”, u vunë në pranga shtetasit A. G., 26 vjeç, M. B., 22 vjeç dhe M. H., 29 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë kanosur 30-vjeçarin K. S. për t’i marrë një shumë parash dhe më pas i kanë marrë automjetin tip “BMW”, me të cilin janë larguar nga vendngjarja.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar si automjetin e autorëve, ashtu edhe automjetin e marrë shtetasit të dëmtuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Share This Article