EMRAT/ Garë për shefa pavijoni në 9 shërbime në QSUT, ja kandidatët…

Jugulajm.net
2 Min Read

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) është në zhvillim procesi për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të nëntë shërbimeve kyçe, pas hapjes së garës më 10 shkurt dhe përfundimit të fazës së shqyrtimit të dosjeve.

Shërbimet që pritet të kenë drejtues të rinj përfshijnë Anestezi-Reanimacionin, Neurologjinë, Onkologjinë, Dermatologjinë, Reumatologjinë, Nefrologjinë Pediatrike, Onkohematologjinë Pediatrike, Toksikologjinë Klinike dhe Alergologjinë. Ndryshimet vijnë kryesisht për shkak të daljes në pension të shefave aktualë të këtyre shërbimeve.

Sipas të dhënave nga procesi i garës, më e fortë paraqitet konkurrenca në Shërbimin Onkologjik, ku ndër kandidatët për drejtim është edhe prof. Helidon Nini, si dhe një tjetër mjek i përfshirë në vëmendjen e fundit publike.

Në Shërbimin e Neurologjisë garojnë tre kandidatë: prof. Ilirjana Zekja, dr. Altin Kuqo dhe dr. Gentian Vyshka, duke e bërë këtë një nga garat më të hapura të procesit.

Në Toksikologjinë Klinike janë katër kandidatë në garë, përfshirë edhe drejtuesin aktual prof. Andrin Tahiri, si dhe Esmeralda Thoma, Alert Drishti dhe Irena Ceko.

Ndërkohë, në disa shërbime të tjera procesi paraqitet më i qartë, pasi disa kandidatë janë të vetëm në garë. Në Anestezi-Reanimacion pritet të vijojë drejtimin prof. Krenar Lilaj, ndërsa në Dermatologji prof. Monika Fida. Në Nefrologjinë Pediatrike pritet të emërohet prof. Diamant Shtiza, ndërsa në Onkohematologjinë Pediatrike prof. Donjeta Bali.

Në Reumatologji, në garë janë prof. Ela Petrela, dr. Ergeta Ktona, dr. Arbër Pecani dhe dr. Artur Zoto, ndërsa në Alergologji kandidon prof. Mehmet Hoxha.

Sipas kritereve të përcaktuara, kandidatët duhet të kenë tituj akademikë si profesor ose doktoraturë nga universitete të njohura ndërkombëtare, si dhe përvojë të gjatë akademike dhe klinike në specialitetin përkatës. Përzgjedhja bazohet gjithashtu në një platformë strategjike katërvjeçare për drejtimin e shërbimit.

Komisioni i vlerësimit pritet të finalizojë së shpejti procesin dhe të shpallë drejtuesit e rinj të shërbimeve, disa prej të cilëve kanë qenë aktualisht në pozicione të komanduar.

Share This Article