FOTO/Policia e Mbretërisë së Bashkuar, 2 letra falenderimi Policisë Shqiptare: Kënaqësi e madhe të bashkëpunojmë me kaq efektivitet me kolegët e Policisë Shqiptare

Jugulajm.net
3 Min Read

Profesionalizëm, përkushtim dhe besueshmëri, nga strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë bashkëpunimit hetimor dhe operacional me homologët.

Policia e Kentit në Mbretërinë e Bashkuar i ka dërguar dy letra mirënjohjeje Policisë shqiptare, për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë dy rasteve të fundit të bashkëpunimit.

“Arrestimi i shpejtë i shtetasit të akuzuar për vrasje, A. Sh., në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 81”, të zhvilluar në Tiranë, nuk do të kishte qenë i mundur pa bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të kolegëve tanë në Policinë e Shtetit shqiptar, konkretisht të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh.” Për këtë, shprehën mirënjohje dhe falënderime të sinqerta për mbështetjen e dhënë në lokalizimin dhe arrestimin kaq të shpejtë të të dyshuarit.

Ekspertiza e lartë në fushën e analizimit të ADN-së, dhënë nga Instituti i Policisë Shkencore i Policisë së Shtetit shqiptar, ka kontribuar në finalizimin me sukses të operacionit policor “Boomerang”, gjatë të cilit u bë i mundur identifikimi i shtetasit G. U., 29 vjeç, banues në Kurbin, i dyshuar për përfshirjen në 33 raste vjedhjesh, të ndodhura në zona të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, gjatë viteve 2023–2025.

Identifikimi i autorit u realizua falë analizës së të dhënave në databazën “CODIS” të Institutit të Policisë Shkencore, që kontribuoi në përputhjen familjare (Familiar Match) të ADN-së së të dyshuarit me origjinë shqiptare.

Analiza e të dhënave të siguruara përmes ADN-së ka qenë kyçe për dokumentimin ligjor të veprimtarisë së këtij shtetasi, në Mbretërinë e Bashkuar.

Më tej, në letrat e mirënjohjes, përfaqësuesit e Policisë së Kentit kanë shprehur:

“Dëshirojmë t’ju shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona më të sinqerta.

Është kënaqësi e madhe të dimë se bashkëpunojmë në mënyrë kaq efektive me kolegët e Policisë Shqiptare për të ndihmuar në parandalimin dhe zbulimin e krimeve që shkaktojnë dëm të madh në komunitetet tona.

Këto raste përforcuan bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kemi dhe nxorën në pah sa e domosdoshme është ndihma e ndërsjellë për parandalimin dhe zbulimin e krimeve që dëmtojnë komunitetet tona.”

Më tej, në letrat e falënderimit, Policia e Kentit ka vlerësuar rolin dhe profesionalizmin e Oficerit Ndërlidhës të Policisë shqiptare, për koordinimin dhe finalizimin e veprimeve.

Share This Article