Greqi/ Shpallet në kërkim 64-vjeçari shqiptar, tentoi të abuzonte me 25-vjeçaren me aftësi të kufizuara, e bija: Më përdhunoi kur isha 7 vjeç

Jugulajm.net
3 Min Read

Ngjarja e rëndë në Kypseli të Greqisë, ku një 64-vjeçar shqiptar, është futur në shtëpinë e një 25-vjeçarje me aftësi të kufizuara, duke tentuar të abuzojë seksualisht, ka marrë përmasa edhe më dramatike.

Vajza e tij biologjike e akuzon se e ka përdhunuar kur ajo ishte vetëm shtatë vjeç.

Duke folur në televizionin MEGA në Greqi, e reja rrëfen se 64-vjeçari e abuzoi seksualisht kur ajo ishte vetëm shtatë vjeçe, brenda shtëpisë së tyre.

Kur isha shtatë vjeçe, babai im më përdhunoi një herë në Shqipëri, kur të gjithë mungonin nga shtëpia. Nuk e denoncova kurrë, sepse kisha frikë. Sot nuk kam asnjë marrëdhënie me këtë njeri, jemi zënë shumë keq”, deklaron ajo fillimisht.

“Ia përmenda para disa kohësh gjatë një sherri se më kishte abuzuar seksualisht dhe ai u përpoq të më nxirrte të çmendur, duke thënë se nuk di çfarë flas dhe se i kam sajuar nga mendja”, ka deklaruar ajo për mediat greke.

Sipas raportimeve, e reja e mbajti për vite me radhë si një sekret të errët makthin që, siç thotë, përjetoi në duart e babait të saj. Kur vendosi ta denonconte, pothuajse e gjithë familja dhe rrethi i afërt i kthyen shpinën.

Doja ta denoncoja, por më thanë se kishin kaluar shumë vite dhe se nuk do të çonte askund, pasi nuk mund ta provoja tani. Nëna ime e dinte çfarë kishte bërë dhe nuk bëri asgjë për këtë. Nuk dua asnjë kontakt me asnjërin prej tyre. Ajo që më lëndoi më shumë ishte kur ua tregova vëllezërve dhe motrave të mi… Edhe ata mbajtën anën e tyre dhe që atëherë kam ndërprerë çdo kontakt me ta”, ka treguar ajo.

Ndërkohë, 64-vjeçari i akuzuar për tentativë përdhunimi ndaj një 25-vjeçareje me aftësi të kufizuara, brenda banesës së saj familjare në Kypseli, mbetet në arrati, ndërsa autoritetet policore vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Nëna e 25-vjeçares, Katerina Bekiaris, ka përshkruar momentet dramatike që përjetoi kur, duke u kthyer në shtëpi, e gjeti burrin sipër vajzës së saj. Sipas saj, ajo mori një tigan të madh dhe e goditi në kokë, në përpjekje për ta larguar dhe për të mbrojtur fëmijën e saj.

Ekzaminimi mjeko-ligjor, sipas saj, tregoi se nuk kishte ndodhur përdhunim, një fakt që, siç u shpreh, nuk e priste.

Sipas mediave greke, shqiptari ishte një person i besuar për familjen pasi i ndihmonte për blerjet, ndërsa me nënën e vajzës ishte njohur në kafenenë e kishës.

E reja 25-vjeçare mësohet se ka edhe një motër binjake, po ashtu me aftësi të kufizuara.

Share This Article