Nje skandal i vërtetë po ndodh në Sarandë e më saktësisht në Ksamil që është pjesë e Bashkisë Sarandë.
FSHZH po ndërmerr punime për një vepër publike pa u marrë vesh me pronarin e truallit. Veç kësaj, punimet që kanë afat 24 muaj, po ndërmerren pa leje mjedisore e aq më keq pa ekspozimin e të dhënave të investimit përmes një tabele çka dhe është detyrim ligjor. Në Ksamil punohet me një shpejtësi marramëndëse vetëm e vetëm që të bëhet fakt i kryer ndërtimi i kësaj vepre dhe që pronarin e truallit që zotëron një pjesë të mirë të kësaj hapësire, t’a lëjë me gisht në gojë.
Kjo ndodh ditën me diell dhe që duket se Bashkia e Sarandës po operon si një bandë me faktin e kryer.
Jugulajm.net mëson se Fondi Shqiptar i Zhvillimit është investitori i kësaj vepre ndërkohë që nuk dihet sesi FSHZH të ketë rënë në kurth nga Bashkia e Sarandës kur kjo e fundit e ka garantuar atë që trualli është publik dhe se nuk ka kompleksitete.
Cënimi i pronës private dhe ruajtja e saj, është një prej pikave të Kapitullit 5 që Shqipëria ka nënshkruar me BE për të aderuar në këtë të fundit. Vec kesaj e drejta e prones dhe mbrojtja e saj sanksionohet ne Kushtetuten e Shqiperise dhe ne Ligjin e Shpronesimeve. Kaq mjafton që reklamimi i këtij skandali të paprecedent dhe vënia në dijeni përmes kanaleve mediatike në Komisionin Europian nga ana e Jugulajm.net përmes Zyrës së Shtypit, do t’i kushtojë vëmendje dhe shqyrtim kësaj shkeljeje madje dhe kosto vetë Shqipërisë.
Punimet kryhen nga firma ndërtuese që ka caktuar FSHZH. Ndërkaq mësohet se ky skandal është unik në llojin e vet sepse ka në bosht praktikat moniste të shpronësimeve me dhunë. Por në raport me këtë praktikë, kjo është shumë herë e më e rrezikshme, pasi me këtë veprim, çdokush që ka pronë në bregdet dhe kudo tjetër, është i rrezikuar që të përballet me bandën shtetërore që në këtë rast është Bashkia e Sarandës.
Jugulajm.net është në kontakt me Zyrën për Marrëdhëniet me Median në Komisionin Europian për këtë skandal dhe shkelje të Kapitullit 5 për praktikën e aderimit të Shqipërisë në BE. Veç kësaj po ndërmerren të gjitha hapat ligjorë për vendosjen para drejtesise se shkelesve ligjore te këtij skandali të paprecedentë ku prona si gjëja më e shenjtë në shoqërinë demokratike, të rrëmbehet për dhjamë qeni.



