Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka dalë me një sqarim dhe thekson se udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe se deri tani, nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm.
Sipas saj, Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët.
“Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke vendosur në qendër të çdo hapi sigurinë dhe jetën e çdo qytetari”, thuhet në deklaratë.
Albana Koçiu sqaron se lajmet e raportuara ditët e fundit për heqjen e ndalimit janë të pavërteta dhe masa e ndalimit është në fuqi, ndaj qytetarët nuk duhet të dalin në rrugë me monopatina apo motora elektrikë.
Reagimi i plotë i ministres Koçiu:
E PAVËRTETË!
Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm. Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët.
Shpreh mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në respektimin e kësaj mase, e cila synon mbrojtjen e sigurisë dhe jetës, në veçanti të të rinjve.
Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës konfirmojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke vendosur në qendër të çdo hapi sigurinë dhe jetën e çdo qytetari.




