Qeveria përcakton tokat që do të jepet me 1 euro në Tepelenë, Memaliaj dhe Dibër, ja cilat…

Jugulajm.net
2 Min Read

Qeveria ka miratuar zonat prioritare ku do të zbatohet projektligji i njohur si “Paketa e Maleve”, duke hapur rrugën për dhënien e tokës publike me çmimin simbolik 1 euro në bashkitë Dibër, Memaliaj dhe Tepelenë.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave, pas dorëzimit nga bashkitë përkatëse të hartave me zonat e shpallura “me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”.

Këto zona do të përdoren për zhvillime ekonomike, industriale dhe turistike, kryesisht për ndërtimin e bujtinave dhe strukturave agroturistike.

Në Bashkinë Dibër janë shpallur 16 zona zhvillimore, që shtrihen nga Bjeshkët e Korabit, Lura dhe lugina e Drinit, deri në fshatra dhe njësi administrative të thella malore, me një sipërfaqe totale prej mijëra hektarësh tokë publike.
Në Memaliaj janë miratuar tre zona të mëdha zhvillimore në njësitë Luftinjë dhe Buz, ndërsa në Tepelenë zonat prioritare përfshijnë pothuajse të gjithë territorin e njësive Kurvelesh, Lopës dhe Qendër-Tepelenë, me sipërfaqe shumë të gjera që arrijnë dhjetëra mijëra hektarë.

Ndërsa qeveria e paraqet Paketën e Maleve si një nismë për zhvillimin e zonave të varfra dhe frenimin e shpopullimit, ekspertët e shohin këtë projektligj si të rrezikshëm dhe konfliktual. Sipas tyre, ligji mbivendoset me legjislacionin ekzistues të pronësisë dhe rrezikon të hapë konflikte sociale në zona ku çështjet e pronës nuk janë zgjidhur ende.

Një tjetër shqetësim lidhet me mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve. Aktualisht, Paketa e Maleve ka rreth 5 mijë aplikime, nga të cilat pritet të miratohen rreth 500 projekte.

Share This Article