VIDEO/ Drejtori i Përgjithëm Proda nderon me Ceritifikatë efektivin e “Shqiponjave”, shpëtoi militantin e PD nga shpërthimi i molotovit

Jugulajm.net
2 Min Read

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka nderuar me “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, efektivin e Forcave “Shqiponja”, inspektor Marsel Bicja, i cili në protestën e fundit të opozitës përpara Kryeministrisë shpëtoi një qytetar nga djegia.

Ai ndërhyri me profesionalizëm duke shpëtuar jetën e një qytetari nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombe molotov dhe për aktin e tij, është vlerësuar personalisht nga drejtori Ilir Proda, me motivacionin:

“Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”.

Certifikata iu dorëzua  nga vetë Drejtori i Policisë së Shtetit, gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

“Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”, është shprehur Ilir Proda.

Ndërkohë, drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për inkurajimin dhe mbështetjen që i jep strukturave të Policisë, si dhe vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, veprim që s’kishte nevojë për komandë për të vepruar, por e komandoi uniforma që mbajmë veshur dhe ndjenja njerëzore.

Inspektor Marsel Bicja, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.

Share This Article