Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, dy persona të armatosur kryen një grabitje në një pikë karburanti në vendin e quajtur “Semës”, në njësinë administrative Qendër, rreth 1 kilometër larg qytetit të Librazhdit.
Sipas njoftimit të policisë, autorët kanë kërcënuar me armë zjarri punonjësit e karburantit dhe më pas janë larguar duke marrë një shumë të konsiderueshme parash.
Shërbimet e Policisë së Librazhdit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ndërmorën veprime të shpejta dhe profesionale, duke arritur që në kohë rekord të identifikojnë dhe arrestojnë autorët e dyshuar.
Të dy autorët, të cilët rezultojnë banorë të qytetit të Elbasanit, janë vënë në pranga dhe aktualisht ndodhen në paraburgim.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për të verifikuar nëse autorët janë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale.




