Në vijim të vatrave të shumta të zjarrit që janë regjistruar ditët e fundit në disa zona të qarkut, sot, më datë 1 gusht 2025, në Njësinë Administrative Cepo u zhvillua një takim pune me qëllim forcimin e gatishmërisë dhe koordinimit ndërinstitucional për përballimin e çdo emergjence të mundshme.Takimi u mbajt me pjesëmarrjen e Administratorit të Njësisë, kryepleqve të fshatrave, përfaqësuesve të blegtorëve, Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave, si dhe përfaqësuesve të Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit u diskutuan dhe miratuan këto masa konkrete:
• Monitorim i vazhdueshëm i zonave pyjore dhe kullosore nga strukturat përkatëse.
• Angazhim i kryepleqve dhe komunitetit në rolin parandalues dhe raportues.
• Bashkëpunim i ngushtë me Policinë e Shtetit për ndjekjen ligjore të çdo rasti të zjarrvënies.
• Vëmendje e veçantë iu kushtua sensibilizimit të banorëve, veçanërisht të blegtorëve, për të shmangur zjarrvëniet, qofshin ato të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia.
U theksua se zjarrvënia përbën rrezik serioz për jetën, pronën dhe mjedisin, dhe çdo akt i tillë do të përballet me forcën e ligjit.





