Zjarri që djeg Shqipërinë dhe ndërgjegjen tonë…

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi
Kush po i djeg vendet më të bukura të Shqipërisë?!
Zjarr dhe vetëm zjarr, tym dhe flakë atje ku natyra ka bekuar tokën me bukuri të rralla, dhe historia ka ngulur rrënjë me vlera të pamatshme. Nga malet e Gjirokastrës te kodrat e Shkodrës, nga lugina e Vjosës te brigjet e Karaburunit , po digjet jo vetëm pylli, por vetë shpirti i vendit.

Askush nuk thotë se nuk bien zjarre në vende të tjera të botës. Por zjarret në Shqipëri nuk janë aksidente klimatike, as pasojë spontane e vapës së verës. Këtu, zjarret kanë tjetër natyrë: bien në zona të përzgjedhura me dorë, me paramendim dhe me qëllime të errëta. Dhe kjo i jep atyre një emër të vetëm: Krim.

Le ta themi qartë: këto nuk janë veprime të qytetarëve të zakonshëm që mbijetojnë me bagëti apo dru zjarri. Janë vepra të kriminelëve me interesa, shpesh të lidhur me botën e biznesit informal, të pasurive të paluajtshme, apo me ndërtime të planifikuara mbi tokë të shkrumbuar. Sepse aty ku digjet mali, humbet statusi i mbrojtjes, dhe aty ku zhduket pylli, shfaqet bulldozeri.

Ky është një krim që nuk i bëhet vetëm natyrës. Ai i bëhet kujtesës sonë kolektive, ekonomisë sonë të qëndrueshme, turizmit, banorëve lokalë, dhe mbi të gjitha: imazhit të Shqipërisë. Një vend që promovon bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore nuk mund të lejojë këtë formë vetëshkatërrimi me qëllim përfitimi.
Qeveria ka përgjegjësi të pamohueshme: për masat parandaluese, për ndëshkimin ligjor, për përmirësimin e strukturave të mbrojtjes së pyjeve, për rritjen e kapaciteteve operacionale. Por le ta themi qartë edhe këtë: Qeveria nuk i vë vetë zjarret.
Në një vend me qytetari funksionale, nuk do të ishim as në këtë pikë.
Më e keqja është se ky shkatërrim nuk prek vetëm pronën e përbashkët – që është edhe më e shenjtë se ajo individuale – por prek thellë edhe ndërgjegjen tonë qytetare, që hesht, që sheh, dhe që rrallë reagon.
Këto janë vepra me paramendim, me përfitim të qartë, me synim të saktë. Janë përtej çdo krimi të zakonshëm, dhe burgimi i përjetshëm nuk mjafton. Këta njerëz nuk meritojnë as mëshirë dhe as emrin “qytetar”. Ata janë bashibozukë me kostum të ri, që për pesë dhi, për një gardh, apo për një projekt turistik të dyshimtë, djeg një mal të tërë, një krahinë të tërë, një Shqipëri të tërë!
Për ta, nuk duhet të ketë më “rrethana lehtësuese” në gjykata, por sekuestrim total të pasurisë, identifikim publik, dhe një ligj të posaçëm të ashpër për dëmtimin e qëllimshëm të pasurisë natyrore.

Përballë këtij krimi, nuk ka as justifikim tradicional dhe as kulturë të munguar. Ka vetëm një qëllim: përfitim kriminal në kurriz të përbashkët.

Duhet të zgjohemi. Të reagojmë. Të flasim. Të kërkojmë drejtësi. Të mos lejojmë që mëkatet e pak të pashpirtëve të bëhen mallkimi i një kombi të tërë.
Sepse nëse nuk mbrojmë atë që kemi më të bukur dhe më të shtrenjtë; tokën, pyllin, ajrin, historinë çfarë na ka mbetur për të mbrojtur?

Share This Article