Bizneset që ushtrojnë aktivitetin përgjatë akseve kombëtare në të gjithë territorin e vendit, kanë një afat prej 7 ditësh për të spostuar vullnetarisht aktivitetin e tyre brenda hapësirës së tyre, duke respektuar kriteret ligjore për ndërtimet pranë rrugëve.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtuesen e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Dallandyshe Bici, ishin në aksin Kombinat–Ndroq–Plepa, nga ku njoftuan se pas përfundimit të afatit, do të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj të gjitha bizneseve që nuk kanë liruar zonat përreth akseve rrugore.
“Subjektet tregtare që rrezikojnë sigurinë rrugore duhet të marrin të gjitha masat për të zbatuar kriteret ligjore që përcaktojnë distancën 3 metra nga kanali kullues i rrugës. Brenda muajit korrik duhet të kenë liruar vullnetarisht territoret. Pas këtij afati do të nisë aksioni për lirimin e akseve rrugore dhe subjektet do të gjobiten. Zero tolerancë për të gjitha subjektet që, jashtë çdo kriteri, janë vendosur pranë rrugëve, duke u kthyer në rrezik për përdoruesit e tyre”, deklaroi Balluku.
Ajo theksoi se nga ky detyrim përjashtohen vetëm ndërtimet për banim.
Kurse Bici bëri të ditur se është ngritur një taskforcë e posaçme, e cila do të fokusohet veçanërisht në subjektet e përpunimit të mermerit, varrezave të makinave dhe pikave të skrapeve.
Balluku theksoi se i gjithë territori monitorohet në mënyrë të vazhdueshme përmes pamjeve satelitore dhe përdorimit të dronëve. Sipas saj, të gjitha zhvillimet në terren shfaqen në kohë reale në ekranet e qendrave të monitorimit, duke garantuar një kontroll të plotë dhe të menjëhershëm ndaj çdo shkeljeje.
Ndërkohë, Bici paralajmëroi se për drejtuesit e subjekteve që nuk do t’i përgjigjen vullnetarisht thirrjes për lirimin e hapësirave publike, do të merren masa të ashpra ndëshkuese.
Ajo theksoi se penalizimet do të shkojnë deri në ndjekje penale për shkelësit që refuzojnë të respektojnë ligjin.




