Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku, tha se “ndihem mirë për vlerësimet që janë bërë nga Federata Botërore, si për Giro d’Italia, ashtu edhe për xhiron e Shqipërisë. Një nga komisarët më të rëndësishëm të gjithë gjykimeve që ka bërë në Evropë dhe në Ballkan, më ka thënë dy fjalë në Vlorë që më janë ngulitur në kokë. Kur erdha, tha, për në Shqipëri, më kishin folur jashtëzakonisht, në kuptimin që ky shtet ka probleme, por në organizimin e Policisë së Shtetit është një nga policitë që mund të merren shembull në Ballkan dhe në Evropë. Më e rëndësishmja ishte që nuk pati asnjë rrëzim. Ky është një lloj sporti që ka shumë probleme, me rrezik, dhe u mbyll Giro d’Italia në mënyrë të shkëlqyer. Kemi sjellë një kaskë të Giro d’Italia, të një prej çiklistëve të ekipit Movistar, në emër të Presidentit të UCI-së, si një dhuratë për Policinë Shqiptare”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, theksoi se “e kam thënë edhe më parë: ta shikoje garën, ishte spektakolare, por të shërbeje për të marrë masat e sigurisë që gara të zhvillohej, ishte akoma edhe më spektakolare. Falënderoj për vlerësimin Federatën e Çiklizmit. Është një nder i veçantë dhe siguroj që Policia e Shtetit është e gatshme të ofrojë shërbime sigurie për çdo lloj aktiviteti sportiv në vend, jo vetëm për çiklizmin”.
Në përfundim të takimit, Anxhaku i ka dorëzuar zyrtarisht Drejtorit të Përgjithshëm kaskën e çiklistit të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë vlerësimi në emër të drejtuesve të UEC dhe UCI.




