Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka dhënë një deklaratë të fortë në lidhje me sfidat që përballen vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në mesazhin e tij, Gonzato vuri në dukje se korrupsioni në nivele të larta nuk është vetëm një çështje etike apo ligjore, por një kërcënim real ndaj sigurisë, stabilitetit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Sipas tij, rrjetet kriminale përdorin korrupsionin për të shmangur drejtësinë dhe për të zgjeruar ndikimin e tyre në institucionet shtetërore, duke dëmtuar thellë besimin publik dhe kohezionin social.
Ai theksoi se për të luftuar këto fenomene është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërkufitar dhe forcimi i sistemit të drejtësisë.
“Rrjetet kriminale përdorin korrupsionin në nivele të larta për të zgjeruar ndikimin e tyre, apo për t’iu shmangur drejtësisë. Kjo gërryen besimin e qytetarëve në institucione dhe dëmton rëndë mirëqenien e tyre,” deklaroi Gonzato.
Ambasadori shtoi se vetëm institucione të pavarura, që funksionojnë pa frikë apo favor, mund të garantojnë sundimin e ligjit – një kriter i pazëvendësueshëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ai vlerësoi përpjekjet e vendeve të rajonit në këtë drejtim, por theksoi se nevojiten rezultate të prekshme për të avancuar në procesin e integrimit.
“Shërbimet e pavarura të prokurorisë që mund të hetojnë dhe të ndjekin penalisht krimin pa frikë apo favor janë parakushte thelbësore për anëtarësimin në BE,” tha Gonzato, duke nënvizuar se forca e sistemit të drejtësisë është vendimtare për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë në rajon dhe për të mbrojtur viktimat e krimit.