Shoqëria jonë, nga e hapur në të kapur

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Sunashi

“Thuhet dhe pretendohet me te madhe se jemi një shoqëri demokratike dhe e hapur, por në thelb dhe ne realitet jemi më shumë një shoqëri e kapur”. Të kapur nga interesat, nga pushtetet, nga heshtja dhe nga mosndëshkimi; sesa e hapur ndaj mendimit, kritikës apo ndryshimit. Pretendohet dhe trumbetohet me te madhe sidomos nga klasa politike dhe qenësia tifoz dhe militant i partisë se shoqëria Shqiptare është një shoqëri tej demokratike dhe e hapur. Kjo përsëritet në diskursin zyrtar, në raportet ndërkombëtare dhe në konferencat me flamuj shumëngjyrësh. Por në realitetin e përditshëm, ndiejmë se jemi më shumë e kapur sesa e hapur. Dhe ky nuk është vetëm një lojë fjalësh. Është një diagnozë e mirëfilltë e kësaj sëmundje të madhe, jo thjesht një konstatim.
Kapja nuk është thjesht kapja e shtetit, siç e përkufizojnë termat akademikë apo raportet e BE-së. Kapja ka zbritur në çdo kapilar të jetës sonë, në shtresat më të imta të jetës sonë: në arsim, ku diploma zëvendëson dijen; në administratë, ku partia zëvendëson meritën; në media, ku reklama zëvendëson të vërtetën; në drejtësi, ku dosjet zëvendësojnë mos ekzistencën e saj, ku padrejtësia predikohet si drejtësinë. E kapur është edhe ndërgjegjja jonë, që shpesh hesht kur duhet të flasë, apo relativizon të keqen si “më e vogla e mundshme”.
Shoqëria jonë është e hapur vetëm për fasadë: kemi kufij të hapur, rrjete sociale, standarde të eksportuara nga Brukseli. Por çfarë kuptimi ka hapja nëse fjala e lirë prodhon vetëm zhurmë, jo reflektim? Nëse pluralizmi partiak mbijeton pa pluralizëm mendimi? Nëse konkurrenca është formale, por rezultati i saj i parapërcaktuar nga pazaret, listat e mbyllura apo servilizmi?
Në këtë kontekst, fjala “demokraci” po shndërrohet në një markë bosh që na shitet për herë të disatë, ndërsa realiteti është i zhveshur nga përmbajtja e saj thelbësore: pjesëmarrja, ndarja e pushteteve, llogaridhënia, shpresa.
Nëse nuk bëjmë dot as një debat të ndershëm për problemet e vetes, si do të ndërtojmë ndonjëherë një të ardhme kolektive me kuptim? Demokracia nuk është dekor, por kulturë. Ajo nuk matet me zgjedhjet që bëjmë çdo katër vjet, por me zgjedhjet që nuk guxojmë të bëjmë çdo ditë: të refuzojmë nënshtrimin, të kërkojmë transparencë, të mbrojmë të drejtën për të kundërshtuar pa frikë.
Nuk mund të jemi “të hapur për botën” dhe të mbyllur për të vërtetën tonë. Prandaj, po, jemi një shoqëri demokratike në letër; por në frymë, jemi ende të kapur nga hija e të shkuarës, nga pazari i të tashmes dhe nga frika e të ardhmes.
Për ta ndryshuar këtë, duhet guxim qytetar, mendje të lira dhe fjalë që nuk i nënshtrohen frikës apo korrupsionit të arsyes. Ndryshe, do të vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri që i ngjan një dere të hapur, por me zinxhir të padukshëm në pranga.

Share This Article